U desh të kalonin 9 orë nga vendimi i gjykatës para se deputeti socialist Alqi Bllako të përfundonte në polici.

 

SPAK bën me dije se ai ka qenë nën mbikëqyrjen policore që prej datës 30 mars e njëkohësisht është njoftuar edhe organi i akuzës për kontroll të shtuar në rast se ai do të arratisej.

 

Vendndodhja e tij mbeti mister deri në orën 03:30 të mëngjesit të kësaj të premteje, kur Bllaku sipas policisë, u paraqit vetë në drejtorinë vendore të Tiranës.

 

Edhe pse gjykata e Shkallës së Parë Antikorrupsion miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së mjedisit, autoritetet ligjzbatuese për një moment pothuajse dështuan.

 

Kjo pasi Bllako, edhe pse u raportua se ndodhej në banesën e tij, nuk u gjet aty nga ana e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

 

Policia dhe Prokuroria mbajtën qëndrime të ndryshme për ndalimin e Alqi Bllakos. SPAK thotë se menjëherë pas caktimit të masës “Arrest me burg” nga ana e gjykatës, njoftoi policinë e shtetit për të ekzekutuar vendimin. Por pavarësisht kësaj, Bllako nuk u arrestua, pasi efektivët nuk arritën të lokalizonin vendndodhjen e tij.

 

Ndërsa policia tha se lajmet për arratisje ishin spekulime dhe se Bllako ishte vetë dorëzuar.

 

Deputeti i PS akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim” dhe “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore”.

 

Alqi Bllako dyshohet se në bashkëpunim me Pëllumb Abeshin, dhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, falsifikuan dokumentet për shpronësimin e pronës, ku do të ngrihej impianti i trajtimit të mbetjeve të Fierit, duke shkaktuar një dëm financiar prej 16.2 milionë lekësh.

 

Ndërsa vetë Bllako duke favorizuar kompaninë e Klodian Zotoz, mori ryshfet rreth 14.9 milionë lekë. Me këto para, babai i Bllakos bleu një apartament në Tiranë, i cili tashmë është sekuestruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *