Kisha katolike është tronditur nga një tjetër skandal seksual, pasi shefi i Financave të Vatikanit përballet me akuza për pedofili. Kardinali George Pell, që është edhe zyrtari i tretë më i lartë në selinë e shenjtë, akuzohet në vendin e tij Australi për abuzime seksuale. Sipas policisë së shtetit të Viktorias, akuzat janë ngritur nga disa persona dhe abuzimet kanë ndodhur në vitet ’70 kur ai ishte prift i thjeshtë në qytetin e lindjes, Ballarat.

 

76 vjeçari Pell mohoi akuzat që i cilësoi false dhe bëri të ditur se Papa Francesku i ka dhënë lëje qe të perballet me to. Kardinali do të kthehet në Australi për të dalë në gjyq në 18 korrik e për të pastruar figurën e tij. Pell ishte mbështetës i vlerave tradicionale katolike dhe ka mbajtur një qëndrim konservator ndaj martesave të të njëjtit seks, apo metodave kontraceptive.

 

Ky është rasti i fundit i një serie skandalesh që kanë përfshirë kishën katolike në botë, ku priftërinj janë akuzuar për abuzime seksuale dhe i kanë mbuluar ato dhe më i rëndi, pasi Pell është përfaqësuesi më i lartë i Vatikanit i përfshirë ndonjëherë në një hetim për pedofili.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *