Agjentët e antidrogës kanë konfirmuar se në thasët me pleh kimik të ardhur nga Kolumbia e që u sekuestruan në banesën e ish-kryekomunarit të Frakullit, Viktor Çervanaku, ka kokainë. Sipas akt ekspertimit në total bëhet fjalë për 485 kilogramë dhe jo 430 sa u njoftua në fillim.
Operacioni i SPAK i quajtur “Konsistenca” në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe autoritetet malazeze, çoi pas hekurave 10 persona dhe shpalli në kërkim kolumbianin, Zamir Rodriguez.
Mes të arrestuarve janë ish- kreu i komunës Viktor Çervanaku, djali i tij, Delinson Çervanaku dhe vëllai Zenel Çervanaku, që dyshohet si porositësi i ngarkesës. Po ashtu në pranga ranë Enxhi Ferhati, Klajdi Vrioni, Redion Meshi, Bledar Matoshi, Julian Malaj dhe Marildo Roni.
Këta ta fundit përmes avokatëve u mbrojtën duke thënë se nga vendi i origjinës, Kolumbia, kishin porositur vetëm pleh kimik dhe se ende nuk ishte provuar prania e kokainës, por dokumenti i akt ekspertimit që disponon Vizion Plus, i hedh poshtë këto pretendime.
Kokaina ishte futur në thasë me pleh kimik që kishte ardhur nga Kolumbia në drejtim të portit të Tivarit në Malin e Zi. Më pas ngarkesa kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe ishte lënë në banesën e ish-kryekomunarit, ku ishte mbuluar me plastmas.
Procesin kimik për ndarjen e drogës nga plehu do e bënte një shtetas kolumbian i cili kishte udhëtuar drejt Shqipërisë, por që nuk është arrestuar ende.