Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të moshës madhore lidhur me rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në qershor të këtij viti.

 

Ndaj të pandehurve rëndojnë një sërë veprash penale sikurse “dhunim”, “trafikim me njerëz”, “shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “ndihmë në kryerjen e veprës penale dhunim”.

 

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se e mitura dyshohet se u dhunua edhe më 27 gusht, në një park të qytetit të Prishtinës.

 

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares nxiti reagim të shoqërisë, teksa në Kosovë u mbajtën disa protesta, ku u kërkua “dënim meritor” për personat e dyshuar.

 

Për këtë rast kanë dhënë dorëheqje drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe Ali Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

 

Në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, çdo vit raportohen dhjetëra raste të dhunës seksuale.

 

Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajzat e moshës 13 deri në 16 vjeç.

 

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *