Një aksident rrugor është shënuar këtë të hënë në zonën e Pyllit të Sodës në Vlorë, ku janë përplasur dy automjete.
Si pasojë e përplasjes, dy vajza që udhëtonin me një automjet tip “Fiat” kanë mbetur të lënduara.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë, ambulanca dhe forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarave, si dhe për të normalizuar qarkullimin në zonë.
Të lënduarat janë transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ato ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Aksidenti ka shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme materiale në të dy automjetet.
Nga të dhënat e para dyshohet se shkak i përplasjes mund të ketë qenë një parakalim i gabuar, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.





