Aksident fatal në Itali, humb jetën 48-vjeçari shqiptar (EMRI)

Një aksident i rëndë rrugor në Calenzano, Itali i ka marrë jetën Fatmir Muslias, 48 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues prej vitesh në Altopascio (Lucca). Ngjarja tragjike ka ndodhur ndërsa ai ishte duke drejtuar një kamion për arsye pune.
Sipas informacioneve paraprake, kamioni që drejtohej nga Muslia është përplasur me një TIR që lëvizte përpara tij. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe për fat të keq 48-vjeçari ka ndërruar jetë në vend. Shkaqet e aksidentit janë ende duke u hetuar nga autoritetet përkatëse.
Viktima ishte një autotransportues i pavarur dhe bashkëpunonte me disa kompani në zonën e Luccas dhe Firences. Prej rreth 20 vitesh jetonte në Itali dhe ishte i integruar në komunitetin e Altopascios, ku njihej nga të gjithë si Fabio.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka shkaktuar tronditje dhe dhimbje të madhe në Altopascio dhe mes komunitetit shqiptar. Familjarë, miq dhe bashkëkombës i dhanë lamtumirën e fundit në banesën e tij, ndërsa ceremonia mortore u zhvillua me pjesëmarrje të gjerë. Fatmir Muslia lë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.
/vizionplus.tv




