E hënë, 21 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Akademi brenda “Harry Fultz”, diplomat do të njihen në Shtetet e Bashkuara

Një akademi e re i shtohet institucioneve të arsimit të lartë në vend, falë partneritetit mes Institutit “Harry Fultz” dhe Institutit të Teknologjisë Rochester, një prej universiteteve më të mira amerikane në këtë fushë.

Kjo nismë u prezantua sot nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, duke hapur rrugën për programe të reja akademike që do të ofrojnë diploma të akredituara në SHBA.

“Aktualisht sot që flasim ka një proces të tërë reformimi të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin Boku në bazë të një marrëveshje që synon të njëjtën gjë që synohet edhe këtu me këtë marrëveshje të Institutit “Harry Fultz” me Institutin Teknologjik të Rochester, pra dhënie e mundësisë së studentëve dhe nxënësve shqiptar që në Shqipëri të mund të marrin një edukim të nivelit më të lartë ndërkombëtar dhe në fund fare të mund të marrin edhe një diplomë e cila është e njëjta diplomë 100 % e barasvlershme me diplomën që merret në institucionin përkatës, në këtë rast për ju në Institutin e Teknologjisë së Rochester, por duke zhvilluar mësimet dhe praktikat këtu në Tiranë”, tha kryeministri Rama.

Ministria e arsimit, Ogerta Manastirliu u ndal në rëndësinë strategjike të hapjes së këtij institucioni në Shqipëri.

Reklamë

“Akademia Amerikane e Teknologjisë së Tiranës është institucioni më i ri, i cili do të hapë dyert në shtator të vitit 2025 me dy programet e para të studimit dhe ne jemi krenarë që tashmë të gjithë kolanës së Institucioneve të arsimit të lartë i shtohet ky institucion prestigjioz që vjen në fakt në kuadër të gjithë qëllimit tonë strategjik për të ridimensionuar ofertën universitare, për ta zgjeruar ate, për ta bërë më të larmishme, por mbi të gjitha më cilësore dhe me standarde ndërkombëtare”, deklaroi Manastirliu.

Në vizitën pranë “Harry Fultz” u njoftua edhe hapja e aplikimeve për këdo që kërkon të nisë studimet në Institutin Teknologjik të Rochester në këtë kampus duke filluar nga sezoni i ardhshëm akademik. /vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë