Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në një deklaratë për mediat ka prezantuar drejtorin e komanduar të Policisë së Qarkut Vlorë, Edvin Ndreu. Hita tha se Ndreu do të ketë detyrën e riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në këtë qark.
Drejtori i mëparshëm i Policisë së Vlorës është shkarkuar dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj në Zvërnec, si dhe për shpërndarjen e informacionit të pavërtetë lidhur me qytetarin që u mor dhe dhunua nga roje private sigurie në kantier.
Ai i kërkoi drejtuesve të Policisë së Vlorës që të jenë më transparentë dhe më profesionalë në shërbim të qytetarëve, duke theksuar se ngjarjet e fundit në Zvërnec kanë nxjerrë në pah mangësi serioze në menaxhimin e situatës.
Sipas Hitës, policia ka dështuar në parandalimin e marrjes me forcë të qytetarit dhe në identifikimin në kohë të personave përgjegjës për dhunën e ushtruar.
Hita: Sot prezantonva drejtorin e komanduar, Edvin Ndreun, i cili do të ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës. Drejtori i Policisë së Vlorës u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj në Zvërnec por edhe për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht për një qytetar që u mor dhe u dhunua publikisht nga rojet e sigurisë private në kantier. I kërkoj Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë që të jetë sa më e hapur dhe sa më profesionale në shërbim të qytetarëve dhe të mos përfaqësohet para publikut me dobësinë e papranueshme të tre ditëve më parë në Zvërnec, ku policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi qytetarin. Ajo trupë na turpëron të gjithëve.





