Reagime të forta janë shkaktuar në Shtetet e Bashkuara pas arrestimit të një fëmije 5-vjeçar dhe babait të tij nga agjentë të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), teksa kthehej nga shkolla në Minesota. Ngjarja ndodhi në zonën Columbia Heights, pranë Mineapolisit, dhe lidhet me intensifikimin e operacioneve të emigracionit nga qeveria federale.
Sipas autoriteteve shkollore lokale, vogëlushi Liam Ramos u arrestua së bashku me të atin në oborrin e shtëpisë dhe u dërgua në një qendër ndalimi në Teksas. Drejtuesja e distriktit shkollor deklaroi se fëmija u përdor për të kontrolluar nëse në banesë ndodhej ndonjë person tjetër, veprim që u cilësua i papranueshëm.

Avokati i familjes theksoi se ekziston një kërkesë aktive për azil dhe se babai dhe djali kishin hyrë ligjërisht në SHBA, pa pasur urdhër dëbimi. Ai shtoi se ata po mbahen së bashku në qendër ndalimi.
Nga ana e saj, Ministria e Sigurisë Kombëtare deklaroi se operacioni ishte i drejtuar vetëm ndaj babait, duke mohuar se fëmija ishte objekt i arrestimit.
Autoritetet arsimore bënë me dije se Liam është një nga katër fëmijët e arrestuar nga agjentë federalë në zonë gjatë dy javëve të fundit, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve dhe familjeve emigrante.
/vizionplus.tv





