Ergys Agasi ndodhet jashtë shtetit, ndërkohë që akuzat ndaj tij janë të pabaza. Kjo ka qënë deklarata e avakatit të të shpallurit në kërkim në kuadër të dosjes për tenderat e dyshuara korruptiv të AKSHIT. Maks Haxhia tha se drejtësia po kërkon ta dëmtojë Agasin pa asnjë provë konkrete kundër tij.
“Zoti Agasi sipas informacioneve që kam edhe nga familja, nuk ndodhet në Shqipëri. Por nisur nga kjo situatë, e cila është një praktikë që mbarset opinioni dhe ngrihen akuza që janë absurditete që të akuzosh një person të paveshur me pushtet për veprimtari të pushtetit, siç janë shkelja e barazisë në tendera, apo heqja e lirisë së një personi për shkak të mos-pjesëmarrjes në tendera, pasi zoti Agasi nuk ka asnjë aktivitet dhe asnjë lidhje me tenderat në AKSHI”, tha Haxhia.
Në lidhje me arratisjen jashtë shtetit të Ergys Agasit, Haxhia tha se vetëm një i çmendur mund të kthehet në Shqipëri.
“Agasi i ka mbaruar punët e veta, por në këtë terren vetëm po të jetë një njeri që do që t’ja hedhin çëlësin në det, mund të vijë që të paraqitet në organet e drejtësisë. Kjo situatë e cila është krijuar kastile duke ngritur akuza të rënda, bën që zbatimi i masës së sigurisë bën që ai të mos ketë më asnjë shans për të komunikuar me drejtësinë në bazë të të drejtave të tij kushtetuese dhe proceduriale. Megjithatë është vendimi i tij për të ardhur apo për të mos-ardhur. Por në kushtet që nuk ka asnjë informacion dhe provë për akuzat që i ngrihen, vetëm po të jetë i çmendur që të vijë”, tha Haxhia.
Haxhia informoi se i kishte dërguar letër institucioneve më të larta të Drejtësisë, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive të personave që kanë për detyrë ruajtjen e informacionit brenda dosjeve, të cilat sipas tij iu shpërndanë publikut./vizionplus.tv





