Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nga Dibra deklaroi se rruga e re e Arbrit jo vetëm ka përmirësuar jetën e banorëve të zonës, por ka rritur vlerën e pronës.
“Me rrugën e Arbrit, një lidhje e shkurtër me Tiranën me transformimet në qytet dhe natyrën e jashtëzakonshme që ka përreth nuk është e ekzagjeruar që të imagjinosh që në 5-6 vjet, kjo zonë do të jetë një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit. Duket si fantazi por nuk është fare”, tha Rama.
Gjatë takimit në Burrel lideri i mazhorancës Edi Rama prezantoi paketën sociale dhe vizionin e qeverisë për tu ardhur në ndihmë shtresave të shoqërisë që kanë më shumë sfida. Kryeministri Rama pranoi problemin e pensioneve të ulëta, duke shpjeguar se Partia Demokratike në qeverisje nuk hartoi politika për pensionet, për më tepër PD vendosi edhe rregulla që nuk lejonin marrjen e një pensioni më të lartë se 200 euro.
“Megjithatë ne jemi munduar të kompensojmë me bonuset, vetëm dhjetor dhe shkurt kemi dhënë 160 milionë euro për pensionistet, do të synojmë që pensioni minimal ta çojmë drejt 200 euro, ndërkohë mesatarin ta çojmë tek 400 euro”, tha Rama.
Kryeministri premtoi një politikë të re për nxitjen e punësimit, veçanërisht për vajzat e gratë. Sipas Ramës edhe programi i bonusit të bebes do të rikonceptohet dhe do të aplikohen pagesa mujore e kush ka më shumë fëmijë do të marrë ndihmë më të madhe.
Por premtimi kryesor i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
“Këto zgjedhje janë; a je për ta futur Shqipërinë në BE në 2030 apo s’je. Dikush mund të thotë jam unë por jo me Edi Ramen. Nuk bëhet. Është e thjeshtë, nuk bëhet”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka premtuar në këtë fushatë elektorale përfundimin e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE në vitin 2030./vizionplus.tv





