Afrika e Jugut tha se do të lejojë një superjaht të një oligarku të sanksionuar rus, që të ankorohet në Kejp Taun.

 

Anija në vlerë prej 521 milionë dollarësh, i përket Alexei Mordashov, aleat i presidentit rus, Vladimir Putin. Kjo anije u largua nga Hong Kongu më herët gjatë kësaj jave.

 

Liderët opozitarë në Afrikën e Jugut i kanë bërë thirrje Qeverisë që ta konfiskojë anijen e quajtur Nord.

 

Por, zëdhënësi i presidentit jugafrikan, Cyril Ramaphosa, tha se ai nuk sheh “asnjë arsye” që t’iu përmbahet sanksioneve perëndimore.

 

“Afrika e Jugut nuk ka asnjë obligim ligjor që t’iu përmbahet sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, tha zëdhënësi Vincent Magwenya.

 

“Obligimet e Afrikës së Jugut, sa i përket respektimit të sanksioneve, lidhen vetëm me ato sanksione të miratuara nga Kombet e Bashkuara”, shtoi Magwenya, duke theksuar se Mordashov nuk është subjekt i sanksioneve të OKB-së.

 

Shtetet perëndimore dhe aleatët e tyre kanë vendosur sanksione ndaj mbi 1.000 individëve rusë dhe bizneseve ruse në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

 

Qeveria e Ramaphosas deri më tani nuk ka kritikuar drejtpërdrejt Rusinë dhe po ashtu Afrika e Jugut ka abstenuar në disa rezoluta të OKB-së që dënojnë luftën. Pretoria bën thirrje që të gjendet një zgjidhje përmes negociatave për t’i dhënë fund konfliktit që Rusia nisi më 24 shkurt.

 

Kryetari i Kejp Taunit, Geordin Hill-Lewis – anëtar i një partie opozitare – u bëri thirrje autoriteteve qendrore që të bllokojnë hyrjen për këtë superjaht, duke theksuar se “nuk ka vend në qytetin tonë për bashkëpunëtorë të luftës së Putinit”.

 

Ende është e paqartë nëse oligarku Mordashov gjendet në bordin e anijes. Hill-Lewis sugjeroi se oligarku është duke udhëtuar me jahtin e tij.

 

Por, një zëdhënësi i Mordashovit tha javën e kaluar për Bloomberg News, se ai gjendej në Moskë qëkur jahti i tij kishte arritur në Hong Kong.

 

Para nisjes së luftës, Mordashov ishte njeriu më i pasur në Rusi. Ky 57-vjeçar ka krijuar pasurinë prej 29.1 miliardë dollarësh përmes kompanisë së tij të çelikut dhe minierave, Severstal.

 

Pak pas nisjes së luftës në Ukrainë, Mordashov u godit nga sanksionet perëndimore për shkak të lidhjeve të tij me Putinin. Por, oligarku ka thënë se nuk është i përfshirë në politikën ruse dhe ka pak ndikim në Kremlin.

 

Një jaht tjetër i Mordashovit, Lady M, është konfiskuar nga policia italiane në mars, për shkak të sanksioneve./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *