Subscribe

Kreu i komisionit hetimor për skandalin CEZ, Taulant Balla, dhe ish-juristi i OSHEE Romeo Kara kundërshtuan vendimin e Prokurorisë për pushimin e hetimeve të dosjes CEZ. Jashtë dyerve të gjykatës, ish-juristi Kara theksoi se Prokuroria nuk ka dashur të konstatojë dëmet e mëdha të shkaktuara nga ky skandal ndaj dhe mbylli çështjen.

 

“Email-et e Nuel Kalajt komprometojnë tërësisht çështjen. Prokuroria nuk ka dashur të konstatojë se ka dëmet. Komisionet e transparencës janë ngritur në kundërshtim me ligjin. Nuk ka pasur dëshirë as të komunikojë me mua. Konstatoj se një dosje mbi 5 mijë faqe nuk mund të studiohet për dhjetë ditë, më 29 prokurorja kërkoi pushimin e çështjes. Për mua prokurorja nuk e ka lexuar dosjen, ka marrë një porosi politike nga zyrat dhe skutat e errëta të Prokurorisë. Kërkoj që opinioni publik të marrë përgjegjësitë e veta, populli të marrë përgjegjësitë e veta, po luhet me pasuritë e tij. Janë bërë dëme të pafund, është bërë një procedurë e dështuar. Nuk mban kush përgjegjësi, populli të marrë përgjegjësitë e veta, unë do jap argumente”.

 

Ndërkohe Taulant Balla hodhi akuza të forta ndaj Prokurorisë.

 

“Shqiptarët dhe shteti shqiptar kanë humbur rreth 414 mln euro.  5401 faqe, prokurorja që ka marrë përsipër të administrojë çështjen, ka marrë vetëm 10 ditë kohë. Rreth 540 faqe në ditë do duhej të lexonte ajo. Kush janë këta prokurorë që guxojnë të mos e marrin fare në konsideratë, por për 10 ditë merr vendime që këtë hetim ta mbyllë? Në dhjetë ditë vendosin të mos bëjnë asnjë hetim. Kush janë këta prokurorë që nuk thirrin njëherë të vetme Nue Kalajn? Si ka mundësi që mbyllen dosje pa fund me akuza të rënda? Këtu na vijnë prokurorë që janë ende një shqetësim, edhe për pak kohë, për mënyrën si duhet të funksionojë sistemi i hetimit dhe ai i drejtësisë. Apo një Prokurori të fortë, unë do ju ftoja të gjithëve të njiheni me materialin e sotëm në gjykatë. Bëhet diferencë e madhe se çfarë ka bërë Prokuroria. Isha sot këtu për të thënë se hetimi i Kuvendit është i plotë dhe gjykata jo vetëm nuk do ta mbyllë këtë çështje, por do kërkojë hetimin shumë të thellë të saj për të nxjerrë fajtorët.”

 

Komisioni hetimor i ngritur nga mazhoranca për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes nga kompania CEZ miratoi ne 20 mars raportin ku konkludohej se procesi i privatizimit i ka shkaktuar Shqipërisë një dëm prej 415 milionë eurosh. Sipas mazhorances përgjegjës për ketë dem janë ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministra te PD dhe Nue Kalaj, që dyshohet se ka kryer transferta të dyshimta. Socialistet kërkuan edhe nisjen e çështjes penale ndaj djalit te ish-kryeministrit Shkëlzen Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *