Afati i fundit për ankimimet, mbi 17 kërkesa të dorëzuara në KQZ

Kur po shkon drejt fundit afati i dorëzimit të kërkesave ankimore për rezultatin e votës së 25 Prillit nga subjektet politike dhe kandidatët e pavarur, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë dorëzuar mbi 17 të tilla. Në shumicë kërkojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në një ose më shume qarqe të vendit dhe rrjedhimisht përsëritje të votimit.
Numri më i lartë i kërkesave ankimore vjen nga Partia Demokratike. Përveç Kukësit, Dibrës dhe Lezhës, ku demokratët janë fitues dhe nuk kanë asnjë pretendim për votën e marrë, në të nëntë qarqet e tjera ata nuk e njohin rezultatin dhe kërkojnë përsëritje të zgjedhjeve.
Për secilin qark, PD, depozitoi në adresë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, provat për vjedhje dhe tjetërsim të vullnetit politik.
Pretendimet për secilën zonë zgjedhore ku Partia Demokratike është humbëse janë thuajse të njëjta, blerja e votës me paratë e buxhetit shtetëror, grupe kriminale, presionit me vendin e punës, shfrytëzimi i paligjshëm i burimeve shtetërore, administratës apo të dhënave personale.
Në mos-njohjen e vullnetit politik të 25 Prillit, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bashkohen në pesë qarqe atë të Durrësit, Beratit, Vlorës, Korçës dhe Gjirokastrës.
Përveç provave që sipas PD dhe LSI çuan blerjen e votës, në dokumentet ankimore, dy forcat politike rendisin si të dhëna për shqyrtim nga KAS, të ndalimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit për të votuar, numrin e lartë të fletëve të pavlefshme të votimit për shkak të vendimit të identifikimit të kandidatëve për deputetë me numra, ndryshimet e njëanshme të kodit zgjedhor apo çalimi i pjesshëm i teknologjisë që nuk mundi të zerojë votimin e dyfishtë.
Përveç dy forcave kryesore të opozitës, kërkesa ankimore janë dorëzuar edhe nga kandidatë për deputetë të partive të tjera apo në pritje nga të pavarurit e Lëvizjes Vetëvendosja.
Me përcaktimin e relatorëve për kërkesat ankimore të depozituara, do të nis shqyrtimi i tyre nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, që kodi zgjedhor i njeh të drejtën të vendosë për pavlefshmëri të zgjedhjeve deri në të gjithë vendin po aq përsëritje të procesit të pjesshëm apo në rang kombëtar.
Përpos vendimarrjes së tij, KAS, nuk është institucioni i fundit ku partitë politike mund të zhvillojnë betejën e tyre ligjore, pasi mund t’i drejtohen edhe Kolegjit Zgjedhor.




