Miliarderi i sanksionuar rus, Roman Abramovich dhe negociatorët ukrainas për paqe, janë përballur me pasoja të helmimit të dyshuar më herët gjatë këtij muaji, pas një takimi në Kiev, ka raportuar gazeta amerikane, Wall Street Journal më 28 mars.

Gazeta ka cituar burimet e saj, të afërta me këtë çështje, por pa përmendur emra.

Sipas saj, Abramovich, i cili ka pranuar kërkesën ukrainase për të ndihmuar në negociim të dhënies fund të pushtimit rus në Ukrainë, dhe të paktën dy pjesëtarë të lartë të ekipit ukrainas, janë prekur në helmimin e dyshuar.

Në mesin e simptomave kanë qenë: skuqja e syve dhe qërimi i lëkurës në fytyrë dhe duar, ka raportuar Wall Street Journal.

Një zëdhënës i Abramovichit ka konfirmuar se oligarku rus dyshohet se është helmuar.

Abramovich, pronar i klubit anglez, Chelsea, dhe negociatorët ukrainas, përfshirë ligjvënësin tatar të Krimesë, Rustem Umerov, tani janë në gjendje stabile dhe jo në rrezik për jetën, ka thënë gazeta.

Një person i afërt me këtë çështje ka konfirmuar incidentin për agjencinë e lajmeve Reuters, mirëpo ka thënë se kjo gjë nuk e ka ndalur punën e Abramovichit.

Edhe grupi për hulumtime Bellingcat e ka konfirmuar incidentin.

“Bellingcat mund të konfirmojë se tre anëtarë të delegacionit në bisedimet për paqe, në mes të Ukrainës dhe Rusisë, të datës 3 dhe 4 mars 2022, janë përballur me simptoma si të helmimit me armë kimike. Në mesin e viktimave ka qenë sipërmarrësi, Roman Abramovich”, ka thënë grupi në Twitter.

Persona të afërt me këtë çështje kanë thënë se përkrahësit e linjës së ashpër në Moskë mund të kenë kryer sulmin, pasi kanë dëshiruar që të sabotohen bisedimet për dhënie fund të luftës.

Një tjetër person i afërt me Abramovichin ka thënë se nuk është e qartë se kush e ka shënjestruar grupin, dhe ekspertë perëndimorë, të cilët kanë analizuar incidentin, kanë thënë se është e vështirë të kuptohet nëse simptomat janë shkak i ndonjë agjenti kimik apo biologjik, pa e përjashtuar edhe mundësinë e sulmit me rreze elektromagnetike.

Kremlini ka thënë se Abramovich ka luajtur rol në fillim të bisedimeve në mes të Rusisë dhe Ukrainës, mirëpo procesi tani është në duart e ekipeve negociatore.

Shtetet e Perëndimit kanë vendosur sanksione të pashembullta kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke përfshirë edhe oligarkët dhe individë tjerë në listën e sanksioneve.

Abramovich është në mesin e sanksionuarve nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar./Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *