Inxhineri i mjedisit, Mirjan Topi tha se po përhapet panik i panevojshëm, sa i përket rrezikut nga gjarpërinjtë.
Në një lidhje të drejtpërdrejt në Quo Vadis, Topi shtoi se ky panik dhe informacion i gabuar mund të dëmtojë edhe turizmin vendas.
Inxhineri tregoi rastin e vrasjes së llojit të një gjarpëri që është në zhdukje, teksa nënvizoi se kjo është një vepër penale dhe mund të dënohet deri në 7 vite burg.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Edhe këto teoritë konspirative na i kanë sjellë vendet fqinje për të na prishur punë?
Topi: Kjo në fakt është paradoksale, por megjithatë është qetësuese. Sepse unë vë re shumë qytetarë që komentojnë poshtë videove ku shfaqen këto gjarpërinj dhe hardhuca, duke shkruar: “Boo, boo, kemi prenotuar pushimet për në Velipojë, por Velipoja qenka një tmerr nga gjarpërinjtë, duhet t’i anulojmë pushimet.” Ky lloj paniku dhe informacioni i pavërtetë duket sikur ka prirje për të ndikuar turizmin në disa zona. Unë nuk e besoj se është e qëllimtë, mbase mund të jetë, por unë nuk e besoj. Ajo që duhet theksuar është se nuk ka asnjë rrezik real nga gjarpërinjtë. Jo më larg se pak minuta më parë, pashë një video ku vritet një gjarpër që mban statusin “i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje”. Në bazë të Kodit Penal, një vepër e tillë dënohet me gjobë ose deri në 7 vite burg. Në një vend ku krimet mjedisore do të merreshin më seriozisht, personat përgjegjës do të rrezikonin realisht burgun.
/vizionplus.tv





