A duhet t’u tregojmë fëmijëve gjithçka? Debati në “Takohemi n’Vizion”: Ka prindër që nuk e menaxhojnë dot situatën e divorcit
A duhet t’u tregojmë fëmijëve gjithçka, apo ka të vërteta nga të cilat duhet t’i mbrojmë? Kjo ishte dilema e diskutuar në emisionin “Takohemi n’Vizion” në Vizion Plus, nën moderimin e Fjodora Fjorës, ku të ftuarit sollën përvoja personale dhe profesionale mbi një nga sfidat më të ndjeshme të prindërimit.
Nga mentaliteti tradicional shqiptar, ku fëmijët shpesh përjashtoheshin nga bisedat e të rriturve, deri te qasja e sotme që nxit komunikimin e hapur, diskutimi u përqendrua te një pyetje thelbësore: si t’ua themi fëmijëve të vërtetën pa i ngarkuar me përgjegjësi dhe probleme që nuk u takojnë?
Psikoterapistja Disola Arapaj, avokatja Brunilda Lika, pedagogia Malvina Tavçiu dhe trajnuesi i biznesit Ervin Dervishi ndanë këndvështrimet e tyre mbi mënyrën se si fëmijët duhet të përballen me problemet familjare, ndarjet, humbjet dhe vështirësitë financiare.
Gjatë diskutimit, avokatja Brunilda Lika u ndal te pasojat e konflikteve prindërore te fëmijët, duke theksuar se ata nuk duhet të përfshihen në përplasjet e të rriturve.
“E kemi parë në numrin më të madh të zgjidhjeve të martesave ku kanë pasur fëmijë mes tyre: fëmijët janë ata të cilët, pavarësisht se ligji thotë që duhet të jenë në interesin më të lartë, duke filluar nga prindërit, nga institucionet shtetërore dhe nga çdo subjekt tjetër, në fakt rezultojnë të jenë më pak në qendër të vëmendjes nga çdo palë tjetër. Fëmijët marrin një rol mbrojtës ndaj prindit, ndërkohë që duhet të jenë ata që mbrohen.”, Brunilda Lika.
Psikoterapistja Disola Arapaj theksoi se fëmijët duhet të njihen me realitetin, por gjithmonë në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tyre emocionale. “Ajo që është e rëndësishme kur flasim për se sa të vërtetë apo të sinqertë duhet të tregohemi me fëmijët, është fakti se ne nuk duhet t’i lëmë fëmijët pa u treguar gjëra. Nuk mund ta përjashtojmë fëmijën nga realiteti në të cilin familja apo shoqëria jeton. Sigurisht që nuk mund t’i tregojmë gjithçka fëmijës, sepse nuk mund ta vendosim përballë situatave të caktuara që janë përgjegjësi e të rriturve”, tha Disola Arapaj.
Trajnuesi i biznesit Ervin Dervishi ndau përvojën e tij si prind, duke nënvizuar rëndësinë e komunikimit të hapur dhe gradual, pa i ngarkuar fëmijët me shqetësimet e të rriturve. “Gjërat duhen treguar në mënyrë të moderuar. Një gjë që unë kam zgjedhur është t’u tregoj gjërat në moment. Në kuptimin që nuk kam pse të akumuloj disa ngjarje e pastaj të ulem të bëj një bisedë. Në momentin që ndodhin, gjithmonë në mënyrë të moderuar, ua tregoj.” Ervin Dervishi
Ndërsa pedagogia Malvina Tavçiu, nënë e katër fëmijëve, tregoi se ka zgjedhur të komunikojë hapur me ta, duke i përgatitur edhe për vështirësitë e jetës. “Me rëndësi është që në çdo diskutim e tematikë që bëjmë me fëmijët, të mos u paraqesim atë botën e zymtë me të cilën ne përballemi te problemet e të rriturve, por as t’u mekojmë se “bota është shumë e bukur” e t’i lëmë vetëm me këtë lloj bukurie, sepse realiteti e zhvesh atë luspë. Jeta është e bukur, por ka edhe përballje.” shprehet Malvina Tavçiu.
/vizionplus.tv



