Subscribe

Kolegji Zgjedhor i jep fund edhe betejës ligjore të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të përsëritur zgjedhjet në qarkun e Beratit.

Kërkesat e tyre për pavlefshmëri të procesit të parlamentareve të 25 Prillit, u rrëzuan. Për të tretin qark provat e sjella dhe ato të kërkuara nga PD dhe LSI u hodhën poshtë me të njëjtin arsyetim, mungesë të bazës ligjore për të hetuar blerjen e tjetërsimin e votës së zgjedhësit.

 

MANJOLA XHAXHO

GJYQTARE, KOLEGJI ZGJEDHOR

Pasi analizoi pretendimet, provat, kolegji vendosi rrëzimin e padive të palëve paditëse.

 

Berati është qarku i tretë në radhë, pas Gjirokastrës dhe Vlorës, për të cilin Kolegji Zgjedhor vendos përfundimisht rezultatin e 25 Prillit, pesë deputetë Partia Socialiste dhe dy koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike.

 

IVI KASO

PERFAQESUES LIGJOR I PD

Opozita ka në dorë armën e ankimit, armën e faktimit të çdo paligjshmërie dhe vënien e të gjitha provave që ajo ka arritur të grumbullojë në dispozicion të organeve që i administrojnë dhe japin verdiktin përfundimtar mbi procesin zgjedhor të paktën mbi pjesën e nxjerrjes së rezultatit.

 

ALTIN KAZIAJ

PERFAQESUES LIGJOR I LSI

Do të ishim, deri diku të themi jo objektiv në qoftë se do të kërkonim sot një vendimarrje ndryshe nga ana e trupës gjyqësore të Kolegjit Zgjedhor, për shkak se ata janë shprehu mbi problematika të kësaj natyre dhe mbi çështje të ngjashme. Do t’i shkojmë deri në fund kësaj pune, pavarësisht vendimmarrjeve të orientuara.

 

Berati ishte një prej qarqeve, ku LSI  pretendoi vjedhjen e një mandati. Votat që i duheshin ishin 77, por nga rinumërimi i pjesshëm i kutive nga KAS, mundi të rimarrë vetëm 15 duke mos prodhuar asnjë ndryshim në shpërndarjen e mandateve.

Edhe pse një prej bastioneve të saja, ku në zgjedhjet e 2017-ës, Lëvizja Socialiste për Integrim mori dy mandate, në ato të 2021-it, ajo nuk fitoi asnjë.

Pas rrëzimit të Beratit, në shqyrtim janë edhe gjashtë qarqe të tjera, për të cilat nuk pritet “Asgjë e Re nga Fronti i Kolegjit Zgjedhor”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *