Akuzat e drejtësisë që rëndojnë mbi të, sipas ish-kryeministrit, Sali Berisha janë thjesht dhe vetëm luftë politike ndaj opozitës. Ndonëse GJKKO e ka kërkuar të merret në pyetje, Berisha ka zgjedhur të mos i përgjigjet. Në vend të togave të zeza, Berisha iu përgjigj gazetarëve, para së cilëve tha se drejtësia është e orkestruar nga kryeministri Rama.

 

“Siç e dini, Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe unë u them demokratëve kudo që janë, se me aktin e fundit, ai ka shpallur një luftë totale, për të cilën ne do i përgjigjemi me të gjithë forcën dhe mundësitë tona. Procesi është procesi më politik i këtij shekulli.

Në proces nuk është vetëm Sali Berisha dhe familjarët e tij, jo, absolutisht. Në proces janë reformat epokale të PD-së, të cilat goditen nga një gardë pretoriane, të cilat goditen nga falanga politike krimi, në një analizë që dëshmon urrejtjen e tyre për reformat e tregut të lirë dhe demokracisë që ka ndërmarrë PD në vite”, tha ai.

 

Berisha thekson se reagimi do të jetë “dhëmbë më dhëmbë” përballë vendimit të drejtësisë që ai e konsideron të padrejtë. Si përgjigje ai nuk përjashton as mundësinë e protestave.

 

Asnjë gjë nuk është jashtë tavolinës. Të gjitha janë në tryezë.

Ne, siç e shihni, kemi të bëjmë me një proces monstruoz politik. Kur Edi Rama, me dy skapistë dhe një tjetër, vënë në tryezë reformat e suksesshme, sepse ajo ekonomi, për dijeninë tuaj, atë vit që janë emetuar bonot, jo për shkak të bonove, ka pasur një rritje prej 8.3 përqind sipas institucioneve ndërkombëtare.

U them atyre që kapin penën dhe shpifin duke cituar dacibaon e prokurorisë, vetëm sa baltosni moralin tuaj sepse një gazetar është i detyruar që të paraqesë, nëse i intereson e vërteta, të dy variantet. Të dy palët.

 

Akuzat e drejtësisë për privatizimin e kompleksit “Partizani”, ai i konsideroi si të pabaza. Procesi i privatizimit, sipas tij është shtrirë në të gjithë vendin pas përfundimit të regjimit diktatorial. Sipas tij kjo është një reformë mjaft e rëndësishme që nuk mund të baltoset nga akuzat.

 

“Lekët e privatizimit funksionuan në mënyrë të përsososur. Me to, të përndjekurit blenë objekte, deri fabrika. Në vitin 1997 procesi u ndërpre, por nuk u largua kurrë. Dhe në vitin 2020, kjo qeveri ka vendim për përdorimin e tyre.

Në vitin 2008, në prag të privatizimeve që ishin përpara, rikthehet përdorimi i tyre në masën 80 përqind me bono dhe 20 përqind me lekë. Ndërkohë pronarët blenë, në mos gabohem, rreth 20 miliardë lekë objekte që u privatizuan. Në total, pjesa tjetër konsumoi rreth 120 milionë euro apo dollarë, sipas një raporti të vitit 2014 të Ministrisë së Financave”, tha ai.

 

Berisha refuzon në mënyrë kategorike akuzat, ndërsa “mburojë” ka imunitetin e deputetit, argument të cilin theksoi edhe përballë drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *