Subscribe

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet, duke i dërguar për gjykim 6 efektivët e policisë private, që shoqëronin paratë e një banke të nivelit të dytë në drejtim të Rinasit.

 

Ata akuzohen për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim mbi ngjarjen e ndodhur më 9 shkurt të këtij viti, ku iu grabitën 3.2 milion dollarë.

 

Por cilat ishin shkeljet që bënë policët privatë? Prokuroria ka zbuluar se, me vetëdije të plotë, ata nuk vendosën çantën me sistemin e gjurmimit GPS tek thasët me para, por e kishin lënë atë në një qoshe të furgonit.

 

Gjatë kohës së grabitjes, në kundërshtim flagrant me rregulloren, ishin të fikura edhe kamerat e sigurisë në të dyja automjetet.

 

Hetuesit dyshojnë se ky veprim është bërë me dashje për të mos fiksuar autorët.

 

Por bindja se policët bashkëpunuan me grupin kriminal është forcuar edhe për faktin se ata nuk komunikuan me sallën operative gjatë kohës kur u sulmuan.

 

Sipas Prokurorisë, efektivët nuk ishin instruktuar se si vepronin në situata të tilla dhe, për më tepër që makinat nuk kanë qenë të blinduara.

 

Kjo bëri që plumbat të depërtonin në makinë, duke rrezikuar edhe vrasjen e personave që ndodheshin brenda.

 

Për grabitjen pranë Rinasit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arrestuar 8 persona, ndërsa në kërkim janë disa të tjerë, mes të cilëve  dhe kreun e grupit, Admir Murataj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *