Kryeministri Edi Rama u takua këtë të mërkurë në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATOS Mark Rutte.
Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Rutte vlerësoi kontributin e vendit tonë në Aleancë dhe theksoi se Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen.
“Është një nder i madh të kem këtu mikun tim të ngushtë, Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i fortë. Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen, që është një angazhim i madh. Shqipëria po zhvillon industrinë e saj të mbrojtjes, përfshirë edhe përmes ndërmarrjes shtetërore, çka është e rëndësishme sepse na duhet një bazë më e fortë industriale e mbrojtjes më e fortë në të gjithë NATO-n. Ju po ndihmoni shumë me Ukrainën. Për shembull, përmes komandës sonë në Wiesbaden, ku kemi një mision shqiptar, por edhe përmes trajnimit gjuhësor për pilotët e avionëve luftarakë dhe për teknikët”, tha Rutte.
Rutte nënvizoi rolin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në Ukrainë dhe Kosovë.
“Ju po bëni shumë sa i përket ndihmës për Ukrainën. Dhe jashtë Shqipërisë, jeni pjesë e forcave tokësore në Letoni dhe Bullgari. Jeni aktivë në Kosovë përmes KFOR-it. Po bëni shumë më tepër madhësisë tuaj. Në fakt ju jeni mjaft i gjatë. Por megjithatë, Shqipëria nuk është aleati më i madh, por po bën shumë. Dhe prandaj, unë dua sinqerisht t’ju falënderoj që jeni një aleat kaq i fortë. Ne e dimë që NATO mund të mbështetet gjithmonë te Shqipëria. Dhe ju e dini që Shqipëria mund të mbështetet gjithmonë te NATO”, tha sekretari i NATO-s.
Nga ana e tij, shefi i qeverisë, Edi Rama, theksoi se Shqipëria është e vendosur të kontribuojë edhe më shumë në sigurinë e përbashkët euroatlantike.
“Është e kuptueshme që gjithmonë është një kënaqësi, jo vetëm falë miqësisë sonë të gjatë, por edhe për shkak të faktit të thjeshtë që gjithmonë ka diçka për të mësuar nga ju. jemi këtu për të rikonfirmuar gjithçka që thatë dhe më shumë. Ne duam të bëjmë më shumë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për një nga projektet strategjike më të rëndësishme që vendi synon të realizojë në bashkëpunim me NATO-n, ndërtimin e një porti të ri ushtarak në Porto Romano.
“Tashmë po rinisim rilindjen e industrisë sonë, jemi shumë të prirur të diskutojmë me ju punën e mëtejshme që duhet bërë për të bërë të mundur portin e ri ushtarak në Shqipëri në Porto- Romano dhe sigurisht jemi këtu edhe për të folur së bashku për mënyrat me të cilat mund të qasemi në programin “Safe” të BE, i cili sa i takon sigurisë, shkon përtej perimetrit të vendeve të BE-së dhe mund të jetë i dobishëm dhe për vendet e NATO-s në Europë”, tha shefi i qeverisë.
Rama shprehu edhe njëherë vlerësimin për shefin e NATO-s Rutte , duke e cilësuar si një lider energjik dhe partner të çmuar.





