Rreth 80% e tokave bujqësore në Bashkinë e Devollit janë ende pa certifikatë pronësie, çka i pengon fermerët ti shesin apo blejnë, por edhe të përfitojnë nga skemat mbështetëse të ofruara nga qeveria shqiptare apo nga programe të Bashkimit Europian.

Fermerët thonë se zotërojnë vetëm aktin e marrjes së tokës në pronësi por nuk kanë certifikata pronësie, pasi për ta ky është një proces që kushton para.

Festim Kasaballi është një fermer nga Bitincka e Devollit. Ai tregon se e ka të pamundur të nxjerrë certifikatën e pronësisë për tokën e tij, pasi nuk ka mundësi ekonomike.

Të njëjtën gje e pranon edhe një tjetër fermer Astrit Bono, po nga fshati Bitinckë, ndërsa thotë se në mungesë të këtij dokumenti nuk mund të kryejë asnjë veprim me tokën e tij.

Pajisja e fermerëve të cilët zotërojnë aktin e marrjes së tokës në pronësi me certifikata pronësie është një proces që duhet të kryhet falas nga ana e bashkive, të cilat duhet të kryjnë ndërmjetësimin mes fermerëve e hipotekës për të nxjerrë këto certifikata.

Por Bashkia e Devollit e ka të pamundur të kryejë këtë proces, pasi nuk ka një specialist topograf. Kjo pranohet edhe nga nënkryetari Sokol Hoxha, i cili tregon se për shkak të pagës së ulët, asnjë topograf nuk pranon të punësohet në bashki, ndërkohë që prej tri vitesh ky vend vijon të jetë vakant.

Në kushtet kur në Bashkinë e Devollit nuk ka një specialist topograf për të hartuar planet e rilevimit dhe zgjidhur problematikat e tokave bujqësore për shkak të mbivendosjeve apo hartave të pasakta, e vetmja mundësi për fermerët është që ti drejtohen privatit, çka duket se është një kosto e papërballueshme për shumicën prej tyre.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *