750 miliardë euro për krizën/ BE miraton paketën e ndihmës, më shumë marrin Italia dhe Spanja

Komisioni Evropian ka propozuar një fond rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh për ekonomitë e goditura rëndë nga koronavirusi.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, argumentoi se kjo paketë stimuluese do të parandalojë thellimin e krizes
URSULA VON DER LEYEN
PRESIDENTE E KOMISIONIT EUROPIAN“Ky është moment i Europës. Nesër kostoja e mosveprimit në këtë fazë të krizës do të jetë shumë më e kushtueshme për ne. Ne ose do t’ia dalim vetëm, ose të shtrojmë një rrugë të fortë për njerëzit tanë dhe gjeneratën e ardshme dhe të vendosim themelet për të ardhmen tonë së bashku. Koronavirusi ka tronditur Evropën dhe botën në thelbin e saj, duke testuar sistemet e kujdesit shëndetësor dhe të mirëqenies, shoqëritë dhe ekonomitë tona. Për të mbrojtur jetën dhe jetesën, dhe rimëkëmbjen, Komisioni Evropian po propozon të shfrytëzojë potencialin e plotë të buxhetit të Bashkimit Europian: një fond prej 750 miliardë eurosh”.
Granti në total prej 500 miliardë eurosh do t’u shpërndahet shteteve më të goditura nga pandemia, dhe 250 miliardë euro të tjera, do të jepen në formën e kredive të buta.
Italia do të përfitojë shifrën më të lartë, 173 miliardë euro, nga të cilat 81 miliardë prej të cilave në formën e ndihmave. Ndërsa Spanja do të sigurojë 140 miliardë euro.
Fondi i rimëkëmbjes është mbështetur nga Franca dhe Gjermania.
Një nga liderët e parë të BE që reagoi pas këtij propozimi ishte kryeministri i Italisë Guiseppe Conte. Ai e cilësoi lajmin si një sinjal të shkëlqyeshëm nga Brukseli. Ndërsa kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se propozimi ishte një “pikënisje e negociatave”.




