Subscribe

Nga sot ka hyre në fuqi harta e re gjyqësore. Te gjitha gjykatat e apelit të rretheve janë shkrirë në një të vetme në Tiranë.

 

Kryetarja e qeverisë së gjyqësorit, Naureda Llagami, ka siguruar se qytetarët nuk do përballen më me vonesa në shqyrtimet gjyqësore.

 

NAUREDA LLAGAMI

KRYETARE E KLGJ

A do ta kemi këtu ku jemi, duke ndërtuar një godinë të re dinjitoze, për të pasur një trupë prej 78 gjyqtarësh apo do ta kemi në një vend tjetër për ne nuk ka rëndësi. Për ne ka rëndësi që ne të kemi një njësi të mirë shërbimi që t’i ofrojmë qytetarit shërbim cilësor në kohë reale. Sa më shumë të specializuar të jenë gjyqtarët, aq më cilësor do jetë shërbimi. KLGJ po merr masa se si ta mbështesë këtë gjykatë. Sot që ne fillojmë gjykimet në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit nuk do dështojë asnjë seancë.

 

Drejtuesja e KLGJ ka përsëritur se harta e re do të rrisë efiçencën në dhënien e drejtësisë.

 

 

NAUREDA LLAGAMI

KRYETARE E KLGJ

Nuk do ketë pengesë. E vetmja pengesë që do ketë qytetari është se nuk do ta ketë gjyqtarin të aksesueshëm. Qytetari do ta marrë shërbimin aty ku e ka marrë për gjithë këto vite, pra në godinën e Gjykatave të mëparshme të Apeleve dhe aty do të marrë një shërbim i cili do të jetë jo vetëm i lidhur me informacionin, për të depozituar të gjitha aktet që duhen dhe të gjitha kërkesat që duhen për një gjykim në Apel apo një gjykim në Gjykatën e Lartë, por edhe për informacion për dosjen e tij në Gjykatën e Apelit.

 

Numri i çështjeve që presin shqyrtimin deri tani është afro 32 mijë. Ndërkohë në muajin dhjetor, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi strukturën e të vetmes gjykatë të Apelit.

 

Trupa përbëhet nga 78 gjyqtarë, të cilët do të merren me dosjet që janë grumbulluar në bodrumin e institucionit për shkak të ngarkesës së madhe.

 

Harta e re gjyqësore është kundërshtuar nga avokatët. Ata thonë se sistemi rrezikon të shkojë në kolaps.

 

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë është fakti se shkrirja e gjykatave të rretheve do të shtojë kostot për qytetarët. Kjo pasi do t’u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës për çdo çështje që do të kenë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *