Gjykata e rrethit gjyqësor Durrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për administratorin e firmës “Fish Co Tirana” Denis Doda, 35 vjec, pasi në konteinerin që mbërritin në portin e Durrësit për llogari të kësaj firme, u zbuluan 7 kg kokainë.
Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë u zhvillua paraditen e sotme, ku prokurori Ilir Turja kërkoi nga gjykata që Doda të qëndrojë në burg si personi përgjegjës për trafikim të lëndëve narkotike.
Pasi ka dëgjuar kërkesën e prokurorisë, gjyqtari Vladimir Skënderi ka caktuar si masë sigurimi atë të arrestit me burg deri në përfundim të hetimeve nga organi i akuzës.
Sasia e kokainës u zbulua në pjesën e sipërme të konteinerit që ishte nisur nga Ekuadori me prodhime deti për llogari të kompanisë “Fish Co Tirana”.