Qetësia është rivendosur në veriun e Kosovës pas tensioneve të ditëve të kaluara kur grupe qytetarësh serbë bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimet e qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia.

 

Qytetarët serb që jetojnë në veriun e Kosovës thanë se dita e diele ishte shumë e tensionuar.

 

“Mendoj se është mirë që kaloi pa incidente, që politika e Serbisë ka fituar për mbijetesën e popullit serb në këto zona dhe shpresoj që në periudhën e ardhshme të shkojë ashtu siç udhëheqja jonë synon paqen, prosperitetin dhe bashkëjetesën me shqiptarët”, tha Dragisha Markoviç.

 

 

“Në parim nuk ka ndodhur asgjë e re. Kjo ndodh shpesh herë. Kësaj radhe ka qenë pak më e tensionuar se zakonisht, kështu është dukur. Alarmet kanë zgjatur në fillim tre orë, pastaj nuk e di sa kohë. Njerëzit ishin pak të frikësuar. Tani presim të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Millan Jovanoviç.

 

Policia e Kosovës tha se tashmë të gjitha rrugët janë të hapura, ndërsa bëri të ditur se ka filluar hetimet për ngjarjet e së dielës.

 

Tensionet pasuan vendimet e qeverisë që shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal ndërsa nga 1 gushti duhej të rridhte afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.

 

Qeveria e Kosovës vendosi që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve, pas këshillimit me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. Kjo kërkesë u bë edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.

 

Ambasadori Hovenier shkroi të martën në twitter se Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e udhëheqësve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, dhe se sipas tij “të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të bashkërenduara me komunitetin ndërkombëtar”.

 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të martën se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për tensionet të fundit dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Ai shkroi në Twitter se “të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

 

Zyrtarët e Bashkimit Evropian u kanë bërë ftesë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç që të takohen në Bruksel për të diskutuar mënyrën dhe për të gjetur zgjidhje që të parandalojnë tensionet. Ende nuk ka megjithatë ndonjë periudhë se kur mund të rifillojnë bisedimet e nivelit të lartë politik.

 

Kjo nuk është hera e parë që masat e institucioneve të Kosovës ngjallin reagime të ashpra dhe bllokime të rrugëve në veriun e Kosovës, që vazhdon të mbetet zona më pak e kontrolluar nga institucionet e Kosoëvs dhe rrjedhimisht edhe e tensioneve të shpeshta etnike./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published.