Kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar këtë të enjte një takim me gratë socialiste në Dibër nën sloganin “Dibra është grua, Shqipëria është grua, Europa është grua”.
Rama tha se Partia Socialiste shumicën e mbështetësve të saj, rreth 56% i ka gra e vajza.
Ai theksoi se duhet vetëm gjysma e burrave për të rrëmbyer një fitore në garën e 11 majit, teksa nuk kurseu as batutat duke nënvizuar se gjysma e pjesës tjetër të gjinisë mashkullore janë çyryk.
Rama: Më 11 maj, falë jush, vajzave dhe grave të Dibrës, Dibra do të votojë aty ku duhet dhe më 12 maj do të gdhihet rozë. Dibra është grua, Shqipëria është grua dhe Europa është grua. Kjo forcë, mbështetjen më të madhe dhe forcën e saj më të madhe e ka te gratë dhe vajzat. 56% e grave dhe vajzave e mbështesin Partinë Socialiste. Nëse kemi shumicën e votuesve të parë, na mjafton vetëm gjysma e burrave nuk na duhen më shumë. Vetëm gjysma e burrave janë normalë në këtë vend, gjysma janë çyryk.
Më 11 maj do të kemi fitoren më të bukur të të gjitha fitoreve tona. Më pyesnin disa: “Pse e filloi fushatën PS nëpër salla me gra?” Përgjigjja ime është: Po me kë të fillonte? Imagjinoni sikur ju të gjitha të iknit nga Shqipëria për një muaj dhe burrat t’i linit këtu. Kur të ktheheni, do të gjeni ca njerëz me bisht.
Unë jam shumë krenar që kemi arritur kaq shumë në këto vite. 15% gra e vajza ka pasur kur kemi nisur rrugëtimin e PS-së, sot janë 40%. Nuk duhet të ndalemi!
/vizionplus.tv





