5 mijë lekë shpërblim për marsin/ Indinjohet urgjenca e Lezhës: Të shkojnë për familjet në nevojë

Personeli i urgjencës së Spitalit Rajonal të Lezhës ka refuzuar shpërblimin prej 5 mijë lekësh të rinj të dhënë nga qeveria për muajin mars.
Ata kërkojnë që këto para të shkojnë për familjet në nevojë, pasi ju ishin premtuar 500 euro dhe 1 mijë euro për periudhën e emergjencës së COVID-19.
Ata thonë se nuk do e ndërpresin asnjë ditë punën, por shprehen të indinjuar për mungesën e vlerësimit për ta.
Qeveria premtoi 500 euro shpërblim për shoferët e ambulancave dhe sanitarët, ndërsa për mjekët dhe infermierët 1 mijë euro për ata që do të jenë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19.
“Sipas parashikimit, kemi vendosur që të gjithë personeli mjekësore, mjekë dhe infermierë, sanitare dhe shoferë, të angazhuar në sistemin e vijës së parë, në luftën me koronavirusin, pra nga ambulancat që marrin analizat tek zona e blinduar e infektivit, do t’i paguajmë 1 mijë euro plus në muaj deri në mbarimin e punës, mjekët dhe infermierët dhe 500 euro plus sanitaret dhe shoferët.”, tha kryeministri Edi Rama në mars.




