Subscribe

Për 3 ditë me radhë, Tirana do të jetë qendra e turizmit europian, duke u bërë për herë të parë vendi pritës për mbledhjen e 70 të Organizatës Botërore të Turizmit.

Përballë delegacionit të përbërë nga 40 ministra e përfaqësues të lartë të sektorit të turizmit në Europë, kryeministri Edi Rama foli për sfidën që mes gjithë hovit turistik, Shqipëria t’ia dalë të ruajë bukuritë natyrore.

“Ky nuk është vetëm sukses, nuk është vetëm gjë e mirë, por edhe sfidë e madhe, sepse ka shumë gjëra për të cilat ne duhet të mendojmë, t’i zgjidhim nëse duam që Shqipëria të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme, të mos e humbasë bukurinë e saj të veçantë. Nëse duam që të jetë një vend ku turizmi të jetë një vlerë e shtuar, ne duhet të ruajmë natyrën, por duhet edhe të ndërtojmë gjëra me arkitekturë të bukur, të mahnitshme, duhet t’i gërshetojmë këto të dyja. Nuk duam ta humbasim vendin tonë, por të kemi mundësinë për të lënë më shumë nga Shqipëria edhe për brezat e ardhshëm”, tha kryeministri Rama.

Duke vlerësuar se gjithë ky zhvillim turistik që po përjeton Shqipëria vjen si rezultat i një pune të vështirë, Sekretari i Organizatës Botërore të Turizmit veçoi projektin e “Melias në Durrës” si një investim që afron më shumë turistë në vendin tonë.

“Shumë projekte janë në zhvillim e sipër. Vetëm Melia si zinxhir, një nga grupet më të mëdha të Spanjës ka 35 hotele, gjë që sipas mendimit tim, për Evropën dhe rajonin ku jetojmë, është një sukses i madh dhe dua t’ju përgëzoj zoti kryeministër për mbështetjen tuaj. E di sa të motivuar jeni për zhvillimin e turizmit. Dua t’ju uroj më të mirën, të gjithë së bashku kemi këtu për të mbështetur, promovuar dhe për t’u thënë familjeve tona që të kthehen dhe të vizitojnë Shqipërinë”, tha Zurab Pololikashvili , sekretar i organizatës botërore të turizmit.

Ndërsa për ministren e Turizmit, ky një është një kapitull i ri që Shqipëria po shkruan mes shifrave rekord të vizitorëve.

“Falë turizmit, sot Shqipëria e ka më të lehtë që të tregojë bukuritë e saj, njerëzit e saj, energjitë e saj dhe rolin e saj në këto kohëra të trazuara. Sot Shqipëria është një surprizë e bukur në zhvillimin e turizmit global, gati-gati një simbol se ashtu si njerëzit – edhe vendet mund ta rishpikin vetveten brenda pak vitesh, – duke tejkaluar momentet e vështira për shkak të lojërave të historisë e duke u kthyer, me forcën e turizmit, në vendin që po ngjall kureshtjen e të gjithëve si destinacion i shumëdëshiruar”, tha Mirela Kumbaro.

Fluksi në vetëm tre muajt e parë të vitit, me 1.7 milionë vizitorë të huaj në Shqipëri, sipas ministres krijon bindjen se ky do të jetë një tjetër vit i suksesshëm për sektorin e turizmit, duke thyer rekordin e vitit të shkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *