Katër pacientë të tjerë kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit në Shqipëri. Të dhënat u përditësuan nga Ministria e Shëndetësisë, e cila njoftoi se në orët e fundit kanë vdekur një 64-vjeçar nga Durrësi dhe tre qytetarë nga Tirana. Gjithsej Shqipëria ka regjistruar 316 viktima që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë.

 

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe infermierëve në dy spitalet Covid, betejën me këtë virus të rrezikshëm nuk e kanë fituar një 64 vjeçar nga Durrësi, dhe 3 qytetarë nga Tirana : një 81 vjeçar, një 85 vjeçare dhe një 87 vjeçar. I shprehim ngushëllimet familjarëve.”

 

Në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 153 raste të reja, mes 847 të testuarve. Totali i të infektuarve shkon kështu në 10.255.

 

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 61 raste në Tiranë, 20 në Korçë, 12 në Durrës, 11 në Shkodër, 9 në Vlorë, 8 në Elbasan, nga 6 raste Lezhë, Mirditë, nga 3 raste Kavajë, Malësi e Madhe, nga 2 raste Kurbin, Tropojë, Mat, Maliq, nga 1 rast Krujë, Fier, Has, Berat, Përmet, Kuçovë.”

 

Në dy spitalet COVID po trajtohet një numër i lartë pacientësh. 193 persona janë të shtruar, 13 prej tyre në terapi intensive dhe katër të intubuar.

 

Gjithashtu në atje janë duke marrë shërbim të specializuar 12 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *