Subscribe

Lushnja, Divjaka, Roskoveci dhe Konispoli janë përzgjedhur si 4 Bashki pilot për zbatimin e projektit “Asistencë Teknike për Përmirësimin e Performancës, Monitorimit dhe Vlerësimit të Ujitjes në Nivel Bashkiak, projekt ky i financuar nga Banka Botërore në kuadër të projektit të madh për Burimet Ujore dhe Ujitjen që po realizohet në Shqipëri.

 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, nënshkroi marrëveshjen me kryetarët e këtyre katër bashkive. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe konsorciumit që po implementon projektin.

 

Gjatë fjalës së tij ministri Çuçi tha se bujqësia shqiptare është zhvilluar vitet e fundit edhe për shkak të investimeve të shumta që janë bërë për rehabilitimin e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese.

 

“Shifrat flasin vetë. Tashmë ne kemi 240 mijë hektarë tokë në mbarë vendin që vaditen falë rehabilitimit të kanaleve të ujitjes. Tani kemi hyrë në fazën që duhet t’i përdorim me sa më shumë efiçencë këto burime të krijuara”, tha ministri Çuçi.

 

Në vijim të fjalës së tij ai pati edhe një thirrje për kryebashkiakët e rinj të Shqipërisë, për të zgjedhur një zv.kryetar të posaçëm që do të merret vetëm me çështje të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

 

Me zbatimin e këtij projekti në 4 bashkitë pilot, synohet që të krijohen modele të mirëmenaxhimit të ujitjes, të cilat do të zbatohen më pas në të gjitha bashkitë e vendit. Projekti i Burimeve Ujore dhe Ujitjes është një nga investimet më të mëdha që është bërë ndonjëherë në për ujitjen dhe kullimin në Shqipëri, me vlerë rreth 56 milionë Euro.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *