Partia Socialiste festoi 35-vjetorin e themelimit të saj në Qarkun e Tiranës, në një aktivitet që mblodhi themelues, drejtues, anëtarë dhe mbështetës të PS, për të kujtuar rrugëtimin e saj ndër vite dhe për të ndarë vizionin për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Në fjalën e saj, Drejtuesja Politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu, vlerësoi kontributin e themeluesve dhe të gjithë socialistëve që kanë mbajtur gjallë vlerat e kësaj force politike gjatë këtyre 35 viteve.
“35 vjet Partia Socialiste është një histori politike, por edhe një histori njerëzore. Kemi kaluar plot ngjarje të mira, por sigurisht edhe sfida e vështirësi. Por socialistët, njerëzit e Partisë Socialiste, të gjithë anëtarët e saj, por mbi të gjitha themeluesit e kësaj partie, që në ditën e parë të themelimit të saj u anuan nga ana e duhur e historisë, e bënë atë Partinë më të madhe progresiste. Mirënjohje të gjithë themeluesve të Partisë Socialiste në vend, duke mbajtur të bashkuara vlerat më të mëdha, më të larta të Shqipërisë Europiane për 35 vjet. Gjithmonë njerëzit i kanë besuar Partisë Socialiste për të vijuar projektin politik për Shqipërinë Europiane.
Një vend të veçantë në historinë e Partisë Socialiste zë Partia Socialiste e Tiranës. Energjia, organizimi që nga dita e fillimit të saj, ka bërë që të jetë lokomotiva e fitoreve të Partisë Socialiste vit pas viti. Tirana është motori i rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.”, u shpreh drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu.
Në 35 vite, Partia Socialiste ka qenë pjesë e disa prej momenteve më të rëndësishme të historisë së vendit, duke kontribuar në proceset demokratike, reformat shtetformuese dhe zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë europiane.





