Subscribe

57 seanca gjyqësore i janë dashur Prokurorisë së Krimeve të Rënda për t’i përgatitur pretencën, grupit të “vrasësve me pagesë” të kryesuar nga Julian Sinanj. Këtë të enjte, akuza kërkoi 35 vjet burg për Sinanajn, ndërsa burgim të përjetshëm për Andon e Genis Mëhillaj. 8 vjet burg u kërkua për Ndriçim Gjokonën, 26 vjet burg për Marion Mitron, 11 vjet burg për Albin Mexhaj dhe 5 vjet heqje lirie për biznesmenin Ilir Karçini. Julian Sinanaj u arrestua në Tiranë, në janar të vitit 2014, gjatë kohës kur ishte duke planifikuar ekzekutimin e biznesmenit Piro Bare. Sipas Prokurorisë, porosinë për vrasjen e tij e kishte marrë nga Ilir Karcini. Bashkë me Sinanajn dhe Karcinin u kapen edhe 6 persona të tjerë, ndërsa u gjykua në mungesë Genis Mëhillaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si anëtar i kësaj bande. Personat e arrestuar të këtij grupi akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale si vrasje, trafik armësh e tritoli, si grup i strukturuar kriminal. Julian Sinanaj sipas akuzës, ka marrë disa porosi nga të pandehurit Andon dhe Genis Mehillaj, Marion Mitro dhe biznesmeni Ilir Karçini për të eliminuar disa persona, duke bashkëpunuar me Albin Mexhajn dhe Ndriçim Gjokonën. Ky grup kriminal akuzohet edhe për tritolin ndaj ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhe atë ndaj banesës së Ardian Kollozit, ish-deputetit të po këtij qarku. Nga hetimet ka rezultuar se Sinanaj ka kryer disa vrasje në qytetin e Vlorës. Gjatë seancave gjyqësore, Julian Sinanaj ka mohuar disa nga ngjarjet, ndonëse ato i kishte pranuar gjatë hetimeve.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *