Sali Berisha, Kryetari i Partisë Demokratike, ka marrë pjesë në një takimin me rastin e 34-vjetorit të themelimit të PD-së, i organizuar nga dega e PD-së në Lezhë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se 34 vjet më parë, në këtë qytet, u themelua partia që mbron idealet më fisnike të shqiptarëve.
Ai nënvizoi rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje dhe kontributin e PD-së në zhvillimet politike të Shqipërisë gjatë këtyre viteve.
Sali Berisha: Ju demokrateve dhe demokratëve të qarkut të Lezhës të pranishëm në këtë sallë, dhe gjithë të tjerëve kudo që janë, në Shqipëri e jashtë saj, gëzuar 34 vjetorin e themelimit të PD të qytetit të Lezhës. Një përshëndetje të përzemërt drejtuesve të degëve të PD, të Lezhës, Mirditës, Kurbinit, deputetëve të nderuar të këtij qarku, miqve e të ftuarve, anëtarëve të departamentit Brain Gain, të gjithëve ju. Të dashur miq! Mblidhemi sot për të përkujtuar një datë në të cilën lezhjane e lezhjanë guximtarë, idealistë në kushte të rënda terrori, morën përsipër të themelojnë në Lezhën e Besëlidhjes, të firmosin një besë të re, një besë me demokracinë, me vlerat më të larta njerëzore, me lirinë, me dinjitetin njerëzor, me interesin kombëtar.
34 vite më parë, në Lezhë u themelua partia e idealeve më fisnike të shqiptarëve, idealeve të lirisë, vlerave më të arrira të njeriut, familjes, atdheut, besimit tek Zoti. Të gjitha këto në një mënyrë apo një tjetër të përjashtuara nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës për gjysëm shekulli.
34 vite më parë, e vërteta është se, u nda historia, u ndanë epokat, dhe duhet të themi, shqiptarët të cilët ishin indoktrinuar, ishin shtypur, kishin vuajtur më shumë se çdo komb tjetër nga izolimi, nga tirania e varfërisë, vendosën të dalin kundër këtij regjimi. Në këtë kontekst secili nga ju duhet të jetë krenar me atë trashëgimni. Ai ishte një akt madhor guximi.
Kreu i PD, Sali Berisha ndër të tjera thotë se Shqipëria doli nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, në vitin 2008 dhe përfundoi në vitin 2013 vendi i qytetarëve më mirë të paguar në rajon.
Në fjalën e tij përshëndeëtëse, ai u ndal te zgjedhjet e 11 majit, ku tha se qytetarët do të votonin kundër atyre që donin zhdukjen e PD-së.
“Natyrisht ne kemi gabimet tona dhe jashtë gabimeve nuk dalim ndonjëherë, por ajo që është tipari ynë, është realizmi.
Ne i shohim drejt në sy gjërat. Ne i njohim gabimet. Vërtetë skemat piramidale u zhvilluan nën qeverisjen tonë, por ne e dorëzuam pushtetin. E dorëzuam pushtetin nën parimin moral se, ne duhet tu faktojmë shqiptarëve se nuk kemi prekur një qindarkë të tyre.
Pra, u ndala në një gabim. Por gabime të tjera janë bërë. Por gjithmonë janë njohur dhe janë bërë përpjeke të mëdha për korrigjimin e tyre.
Ne kemi një meritë, kemi një meritë shumë të veçantë; ne kurrë nuk jemi ndarë dhe nuk ndahemi nga qytetarët. Jo.
Miqtë e mi. Ju i keni ndjekur zgjedhjet në SHBA. Edhe unë i kam ndjekur sigurisht. Çfarë keni parë aty? Keni parë e gjithë elita amerikane, i gjithë Hollivudi, mediat etj., me radhë në mbështetje të kandidatit kundërshtarë të Donald Trump. Të gjithë humbën, pse humbën? Humbën se ishin të shkëputur nga qytetarët amerikanë.
Thelbi, absolutisht jo se amerikanët nuk admironin Tailor Swift, apo yjet e Hollivudit, por e kishin të qartë se ata ishin për në Hollivud dhe jo për hallet e tyre.
E dinin mirë se për hallet e tyre ishte një njeri tjetër, një njeri që mediat e censuronin, një njeri të cilin të gjithë, për të mos thënë e gjithë bota kundër tij. Por një njeri që mendonte për amerikanët dhe ato 4 vite që kishte qeverisur u kishte dëshmuar amerikanëve se mendonte për ta, ekonominë dhe xhepat e tyre.
Ne vijmë sot, pas një kalvari që kaluam në mënyrë të pamerituar. Kurrë nuk meritonim ne, ne kishim përmbysur diktaturën më të egër në Europë, kishim anëtarësuar vendin në NATO, kishim dyfishuar rrogat, pensionet, e transformuam vendin.
Por u sulmuam nga sundimi mafioz i Edi Ramës. U sulmuam nga kryemafiozi i planetit Xhorxh Soros dhe mafia e tij. Ata menduan se do na zhduknin, por ata gabuan. Ja ku jemi ne sot më të bashkuar, më të fortë, më të fuqishëm se kurrë.
Na përçanë, u bashkuam.
Na e morën flamurin, ja ku e kemi më krenar se kurrë në jetën e tij.
Na arrestuan, ja ku jemi sot më të fortë se asnjëherë.
Pra miq, ata të cilët kishin parashikuar zhdukjen tonë, me 11 maj do të marrin disfatën e merituar.
Ne vijmë sot më të sigurtë se kurrë në fitoren tonë.
Ne vijmë sot pasi i damkosëm ata në gjithë botën, për grabitjen e zgjedhjeve.
Ne vijmë sot pasi i damkosëm ata në gjithë botën, për narkodiktaturën.
Ne vijmë sot pasi i damkosëm ata në gjithë botën, për vjedhjet e tmerrshme, pasi qëndruam dhëmb për dhëmb për çdo vjedhje të tyre.
Ne vijmë sot më të sigurtë se kurrë në fitore, sepse jemi më të bashkuar, sepse kemi programin tonë, programin që i jep përgjigje çdo qytetari”.
/vizionplus.tv





