Subscribe

Në 30-vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha shprehet se kjo forcë politike vazhdon të jetë mburoja dhe garantuesja e lirive dhe demokracisë.

 

Përmes një mesazhi, ai pohon se ndihet krenar për atë që ka bërë partia në gjithë këto vite. Sipas tij, PD solli zhvillim ekonomik, infrastrukturor, punësim, anëtarësoi Shqipërinë në NATO, liberalizoi vizat dhe afroi vendin me Europën.

 

Mirëpo, në këtë 30-vjetor, shton lideri demokrat, është e vështirë të festohet, pasi Shqipëria ndodhet në një situatë dramatike “pas 7 vjet keqqeverisje”.

 

Teksa i shprehu edhe njëherë ngushëllime familjes së Klodian Rashës, Basha deklaroi se kjo vrasje është pasojë e arrogancës dhe kulturës së pandëshkueshmërisë.

 

“Të gjithë ne pamë një shembull tragjik të mungesës së ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë së kësaj qeverie për qytetarët e saj para pak ditësh.  Pamë ngjarjen tragjike kur Klodian Rasha u vra pak hapa larg pragut të shtëpisë së tij. Fjalët e babait të Klodianit më prekën thellë e më kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.  Lotët e familjarëve të 25-vjeçarit lënduan në zemër të gjithë shqiptarët anembanë ku jetojnë.  Por ajo që i revoltoi më së shumti shqiptarët ishte përpjekja mizore dhe e paskrupullt e propagandës qeveritare për të fshehur e manipuluar këtë krim shtetëror.  Ne jemi mësuar që ta shohim kryeministrin e papërgjegjshëm të Shqipërisë të gozhduar para internetit, tërë kohën duke u marrë me thashetheme, duke reaguar menjëherë madje edhe ndaj komentatorëve të rrjeteve sociale, mirëpo për këtë ngjarje kaq të rëndë heshti për 3 ditë radhazi.”

 

Më tej, ai iu premtoi qytetarëve se PD do t’i japë fund tranzicionit  shqiptar.

 

“Bashkë do ta largojmë Ramën dhe modelin e tij, për të çliruar energjitë dhe potencialin e jashtëzakonshëm të shqiptarevë, që ai bashkë me kastën e tij sundimtare i mban bllokuar. Bashkë do i japim fund tranzicionit të tejzgjatur shqiptar për ta bërë më në fund Shqipërinë Si Gjithë Europa. PD gati të bëjë çdo gjë t’i japim fund bashkë kësaj të keqeje më 25 prill.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *