“Aksioni në rrugë” është tema e kësaj të marte në Quo Vadis në Vizion Plus.
I ftuar në studio ishte Shef i Sigurisë Rrugore, Artur Selimaj, i cili theksoi se Kodi Penal parashikon ndëshkime serioze për raste të caktuara që cenojnë rendin publik dhe sigurinë rrugore.
Ai u ndal tek rasti konkret i parkimit të dyfishtë, një fenomen shqetësues që jo vetëm pengon qarkullimin normal të automjeteve, por rrezikon edhe ndërhyrjen e shërbimeve emergjente në raste urgjente.
Sipas Selimajt, ky veprim nuk duhet parë më si një shkelje e zakonshme, por si një vepër që mund të ketë pasoja të rënda, për të cilat ligji ka parashikuar edhe burg, madje deri në 3 vite.
Ai thotë se ky është një nen i parashikuar në kodin penal dhe ndëshkohen rastet kur qarkullimi i mjeteve është i bllokuar totalisht me mjete ose pengesa
Pjesë nga biseda:
Borakaj: 3 vite burg nëse parkoni dysh. A ka ndodhur tani ky ligj? Çfarë ndodh?
Selimaj: Ky është një nen i parashikuar në kodin penal. Bëhet fjalë vetëm për rastet kur qarkullimi i mjeteve në një drejtim të caktuar është e bllokuar totalisht me mjete apo pengesa. Kur qarkullimi i mjeteve në një drejtim të caktuar është i pamundur. Vetëm në këtë rast procedohet penalisht drejtuesi i mjetit, deri në 3 vite burg. Në të gjitha rastet e tjera është dispozita e kodit rrugor që parashikon parkimin e gabuar, parkimin e ndaluar që ndëshkohet me masë administrative, pra me gjobë.
Borakaj: Nëse parkon dyshe, mund të të merret makina apo është vetëm gjoba?
Selimaj: Veç gjobës është edhe lirimi i këtyre akseve. Këtu kemi të bëjmë me 2 kategori mjetesh, një që parkojnë dysh dhe tjetra kur parkojnë në vendet e gabuara. Dhe një nënkategori e këtyre është kur parkojnë në vendet publike, ku nuk lejohet parkimi. Në këto raste veç gjobës, bëhet i mundur edhe lirimi i hapësirës. Masa janë marrë tërë kohës.
/vizionplus.tv





