3 pjesëtarë të grupit të 9 personave ndaj të cilëve në prill të këtij viti ishte ngritur aktakuzë nën dyshimet për planifikim të sulmeve terroriste në nëntor të vitit të kaluar gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, kanë pranuar fajësinë.
Sipas prokurorisë speciale të Kosovës, Kenan Plakaj kishte prodhuar mjete shpërthyese, kurse Besart Pecit i janë gjetur armë automatike dhe rreth 90 fishekë. Më herët fajësinë e kishte pranuar i akuzuari Arton Ahmeti.
Në vitin 2016, Policia e Kosovës kishte parandaluar një sulm të mundshëm terrorist kundër kombëtares së Izraelit në futboll në ndeshjen përballë kombëtares së Shqipërisë, që ishte planifikuar të mbahej në Shkodër.
Fillimisht u arrestuan 18 persona dhe vetëm ndaj 9 prej tyre u ngritën aktakuza.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria thuhet se disa prej të akuzuarve kanë qenë në kontakt me të ashtuquajturin lider të shqiptarëve në kuadër të grupit militant ISIS në Siri dhe Irak, Lavdrim Muhaxheri nga ku kanë marrë urdhra për të kryer sulme.
Tek të akuzuarit është gjetur dhe eksplozivë i llojit të ngjashëm me atë që është përdorur gjatë sulmeve në Paris dhe Bruksel.
Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tani për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.