Subscribe

Serbia liroi këtë të hënë tre policët kufitarë të Kosovës Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi,që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor. Pas 11 ditëve në paraburgim, vendimi u mor në gjykatën serbe të kralevës, e cila vendosi gjykim në gjendje të lirë për akuzat e prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse.

Lajmin e konfirmoi avokati serb Gradimir Nalliç, i cili tha se policët do të kthehen në Kosovë dhe shtoi se është në interes të klientëve të tij që të mos japë më shumë informacione.

Pas lirimit të tre punonjësve të policisë reagoi menjëherë kryeministri Albin Kurti:

 

ALBIN KURTI

KRYEMINISTER I REPUBLIKES SE KOSOVES

 

“Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi.”

 

Pas vendimit për lirimin e policëve të kufirit të Kosovës, kryeministri hungarez, Viktor Orban, nuk vonoi të marrë meritat. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai tha se policët u liruan në përputhje me kërkesën që i ka bërë ai autoriteteve serbe, gjatë vizitës së tij në Beograd.

 

Çështja e tre punonjësve të kufirit të Kosovës në 14 qershor rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve. Autoritetet e Kosovës deklaruan se policët u rrëmbyen thellë brenda territorit të Kosovës, ndërsa pala serbe pretendoi se ata u arrestuan të armatosur brenda kufirit të saj.

 

Komuniteti ndërkombëtar nuk doli në një konkluzion të qartë për vendndodhjen e kapjes së tyre, megjithatë thirrjet për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte ishin të vazhdueshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *