Rritet numri i të infektuarve nga koronavirusi në vend duke shkuar në 6. Pas dy të prekurve të parë babë e bir u identifikuan në total 24 kontakte të tyre.

Pas marrjes së tamponeve prej secilit person, kanë dalë përgjigjet e analizave për 13 prej tyre. Tre nga të afërmit e 28-vjeçarit, që ishte kthyer nga Italia dhe babait të tij që gjithashtu është bartës i virusit, rezultuan pozitive.

Ndërkohë mësohet se të gjithë personat, që janë identifikuar si kontakte me të prekurit e parë babë e bir po mbahen të izoluar në vetëkarantinim.

Ndërkohë priten përgjigjet e 11 analizave të tjera të kryera pranë laboratorit të virologjisë, në Institutin e Shëndetit Publik.

Ndërsa rasti i gjashtë i konfirmuar është një 31-vjeçar nga Tirana, i cili ka pasur histori udhëtimi me Italinë.

Siç raportohet zyrtarisht, i riu po trajtohet bashkë me dy rastet e tjera, babë e bir, në spitalin infektiv.

Ndërkohë në spital janë shtuar masat përsa i përket vizitave pranë të infektuarve, të cilat janë të ndaluara rreptësisht.

Ekspertët mjekësorë u bëjnë thirrje qytetarëve të drejtohen në numrin e urgjencës 127, në rast se paraqiten me simptoma të Covid-19 apo nëse kanë histori udhëtimi në zonat e prekura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *