Qeveria, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë do të vendosin në dispozicion 250 milionë euro për kreditimin me norma më të ulëta interesi për bizneset e vogla dhe të mesme, veçanërisht për ato që operojnë në sektorin e bujqësisë.
“BSH sapo ka miratuar një linjë të re financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me fokus kryesor te bujqësia, 250 mln euro kemi diskutuar që ta mbështesim nga qeveria këtë linjë financimi edhe me një garanci sovrane. Ky është volumi më i madh i dhënë ndonjëherë në mbështetje me kredi të buta të agropërpunimit, të serave, të agroturizmit, të teknologjisë dhe me radhë. Së shpejti për detajet.”, tha Rama.
Po ashtu, qeveria ka gati një projektligj për të hapur në Shqipëri Bankën Shqiptare të Zhvillimit. Kjo bankë do të hapet në bashkëpunim me Italinë dhe do të ketë në fokus financimin e sektorëve kryesorë të ekonomisë.
“Falë bashkëpunimit me prestigjiozen Casa Depositi e Prestiti në Itali, institucion financiar që bën pjesë në gjerdanin e ekselencave evropiane, jemi gati t’ja shtojmë Shqipërisë në këtë stad të vendit. Projekti është bindës, banka do të menaxhohet nga një superskuadër shqiptaro-italiane”, vijoi me tej Kryeministri.
Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një program për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri, në rastet kur duan të kryejnë investime.
Ky program parashikon kredi me norma interesi deri në 3.5% për bizneset. Norma e interesit, sipas Bankës së Shqipërisë, mund të ulet edhe deri në 2% në rastet kur këto kredi do të sigurohen me garanci shtetërore.