Mbetet ende mister shpërthimi i tritolit mbrëmjen e së hënës pranë rrethrrotullimit të Saukut në Tiranë. Burimet policore shprehen se kanë përjashtuar mundësinë e një sulmi pranë bizneseve në këtë zonë.

 

Lënda plasëse është hedhur nga lart mbikalimit në një pjesë me shkurre.

 

Në këtë segment rrugor nuk ka kamera sigurie për të ndihmuar hetuesit në zbardhjen e identitetit të autorit. Dyshohet se ai ka parë një patrullë policie dhe menjëherë ka hedhur tritolin nga frika.

 

 

Nga shpërthimi u thyen xhamat e dy mjeteve të parkuara aty pranë. Dy drejtuesit e këtyre mjeteve kanë deklaruar në polici se nuk kanë probleme me persona të tjerë.

 

 

Gjithashtu dyshohet se autori apo autorët janë larguar me një automjet.

 

Nga janari deri në tetor të këtij vitit janë regjistruar në total 25 raste të vendosjes së eksplozivëve në automjete dhe banesa.

 

Numri më i lartë u shënua në muajin prill me 5 të tilla. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë dy raste më shumë.

 

Pjesa më e madhe e shpërthimeve kanë qenë për kërcënime dhe mesazhe paralajmëruese, por nuk kanë munguar as atentatet si ai i ndodhur para pak ditësh në Vlorë ku mbeti i plagosur rëndë 34-vjeçari Indrit Sadedini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *