Policia arrestoi 5 persona dhe shpalli në kërkim dy të tjerë gjatë operacionit të koduar “Ranishtja 2”, si të përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Spillesë në Kavajë.

 

Në pranga ranë ish regjistruesi i Kavajës Asim Arkaxhiu, 3 nëpunës të Bashkisë Rrogozhinë dhe zyrës se regjistrimit te paluajtshme, biznesmeni Idlir Karkini ndërsa dy noterëve iu pezullua ushtrimi i funksionit.

 

Për kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës Beqir Nuredini u ndalua dalja jashtë shtetit si dhe u vendos masa e detyrimit për paraqitje.

 

Sipas prokurorisë hetimi i nisur për shpërdorim detyre në lidhje me ndërtimet në plazhin e Spillesë përfshiu 23 persona të dyshuar në tjetërsimin e rreth 11 mijë metrave katrorë tokë bregdetare. Drejtori i hetimit te krimit ekonomik në policinë e shtetit shpjegoi mekanizmin e tjetërsimit të pronave.

 

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë krijuar në mënyre fiktive komisione për ndarjen e tokës gjatë periudhës 2015-2017 dhe kanë realizuar tjetërsimin dhe ndarjen në mënyrë të jashtëligjshme të pasurisë shtetërore, e cila ishte tokë shtetërore pa fryt në vijën bregdetare, duke e tjetërsuar në tokë are, duke e ndarë në interes të tyre dhe personave të tretë.

 

Përpara se të përpilonin certifikatat e pronësisë, fillimisht zyrtarët e proceduar identifikonin banorët e mirëbesuar, të cilët do të përfitonin padrejtësisht tokën. Me pas identifikohej blerësi dhe pas këtyre veprimeve bëhej regjistrimi i menjëhershëm në hipotekë, si dhe akti i shitblerjes së pasurisë. Këto akte, në shumicën e rasteve, bëheshin pa u vënë në dijeni  banorët në emrat e të cilëve përpiloheshin dokumentat e pronësisë.

 

Për këtë u zhvilluan hetime për ndërtimin e 27 lokaleve përgjatë vijës bregdetare, ku vetëm 4 investitorë rezultuan të jenë banorë të zonës, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë qytetar të rretheve të tjera.

 

Kryetari i bashkisë së Rrogozhinës rezulton iu përfshirë nëpërmjet aplikimeve duke paraqitur vetëm një plan vendosje, kjo sipas preferencave të investitorëve, pa pasur asnjë plan zhvillimor të Bashkisë.

 

Në të njëjtin hetim prokuroria përfshiu edhe kallëzimin e bërë nga ana e komandë së forcave ajrore.

 

Në këtë zonë është konstatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Ata ishin sjellë për të punuar nga biznesmeni  Idlir Karkini, i cili kishte certifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit.

 

Ndonëse toka është pronë shtetërore e aviacionit shqiptar Karkini kishte arritur të siguronte dokumente të rregullta, duke i bërë të pavlefshme edhe tentativat e ministrisë se mbrojtjes për të regjistruar pronën e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *