Subscribe

Me rastin e 21-vjetorit nga masakra në burgun e Dubravës, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi këtë të hënë një vizitë në këtë institucion dënimi.

Pas përfundimit të vizitës Thaçi akuzoi në një prononcim për mediat kryeministrin në Detyrë, Albin Kurti, për të cilin tha se ka uzurpuar zyrat e Kryeministrisë, ndërsa bëri thirrje që mos të tentojnë t’i bëjnë presion Gjykatës Kushtetuese.

“Për fat të keq kemi një njeri që i ka uzurpuar zyrat e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese, po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare. Mirëpo sido që të jetë ne duhet të kemi durim, duhet që qartësisht të punojmë por edhe të respektojmë kushdo që të jetë në krye të çdo institucioni apo spektri politik, të punojmë që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pritet të dalë në ditët në vijim”, ka thënë Thaçi.  

Mes të tjerash, Thaçi e cilësoi masakrën në Burgun e Dubravës si ndër më mizoret, pasi është kryer kundër të burgosurve të pambrojtur. Ai nënvizoi se Kosova nuk do të ndalet deri sa të vendoset drejtësia për mbi 13 mijë viktima civile të vrara nga shteti serb, mbi 400 masakra të kryera dhe mbi 20 mijë gra të dhunuara nga aparati shtetëror serb.

“Serbia do të ballafaqohet me drejtësinë për gjenocidin që e ka kryer në Kosovë kundër popullatës civile, dhe për të gjithë këto masakra që iu kanë ndodhur qytetarëve të Kosovës”, paralajmëroi Thaçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *