Lulzim Basha i cili mbante detyrën e ministrit të Brendshëm në 21 janarin e vitit 2011 ka deklaruar se ende nuk ka një thirrje nga SPAK-u për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë ku mbetën të vrarë 4 qytetarë.
Gjatë një komunikimi me gazetarët në parlament, Basha theksoi se do t’i përgjigjet çdo thirrje të Prokurorisë së Posaçme.
“Jo deri në këto momente, jo. Por unë në çdo rast jam dhe mbetem në dispozicion të SPAK. Është çështje detyrimi, Duhet të marrë fund epoka e imuniteti parlamentar, kur mbrohet pas imunitetit dhe për të mos u trajtuar i barabartë para ligjit”, tha Basha.
Para gazetarëve Basha deklaroi se nuk i druhet rihetimit të vrasjes së 4 protestuesve.
“A keni frikë se hetimet ju prekin edhe ju? Frikë kanë dhe duhet të kenë ata që kanë shkelur ligjin”, deklaroi demokrati.
Pak muaj më parë SPAK rihapi hetimet për ngjarjen e rëndë të “21 janarit” dhe përgjatë javëve të fundit ka marrë në pyetje ish-komandantin e gardës Ndrea Prendin, ish-drejtorin e përgjithshëm të policisë Burgaj, organizatorët e protestës socialistët Saimir Tahiri, Xhemal Qefalia; por ende nuk ka një thirrje për ish-kryeministrin Sali Berisha e ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha.