Korça edhe këtë të enjte nuk ka shënuar asnjë rast të prekur me COVID-19. Kjo pas 20 rasteve të dyshuara të cilëve iu janë bërë tamponat, por fatmirësisht të gjithë kanë dalë negative.

 

Burime zyrtare pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor bëjnë të ditur se personat e dyshuar kanë qenë të gjithë kontakte të oficerit të policit kufitar, i cili rezultoi pozitiv dy ditë më parë.

 

Të njëjtat burime thonë se kanë kryer testimin në persona të mundshëm të kontaktit që nga familjarët e tij, kolegët në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit si dhe deri tek kolegët në pikën kufitare të Kapshticës, por të gjithë janë negativë ndaj koronavirusit.

 

Korça prej 8 ditësh tashmë ka shënuar vetëm 1 rast pozitiv, çka tregon punën e pandërprerë të epidemiologëve për gjurmimin e rasteve dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

 

Ndërkohë mësohet se në Pogradec në total janë marrë 10 tampona të cilët kanë rezultuar negativë dhe në Devoll 5 tampona që përsëri kanë qenë negativë. Kjo tregon se të gjitha qytetet dhe fshatrat e qarkut, përveç qytetit të Korçës, janë ende të paprekura nga COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *