2 milionë euro për një vrasje, Dumani: M’i premtoi Talo Çela nëse do të ekzekutoja Erion Alibej
Të tjera detaje të rënda kanë dalë në pah për vrasjet mafioze dhe atentatet që kanë tronditur vendin gjatë viteve të fundit.
Ato janë zbuluar nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani në seancën e kësaj të marte në kuadër të dosjes ‘Plumbi i Artë’.
Ai është përballur me të pandehurit e çështjes si dhe mbrojtjen e tyre.
Avokati i Fatos Gosës, i kërkoi Dumanit të tregonte se si u arrestua herën e fundit nga policia dhe pse nuk e vrau dot Elton Kilën, i njohur si ‘Oti’ i Elbasanit në muajin mars 2022. Sipas SPAK, Suel Çela i kishte premtuar 200 mijë euro Dumanit për vrasjen e Kilës.
Nuredin Dumani: Sepse Oti (Elton Kila) nuk ishte në Elbasan. Më ka nxjerrë në pritë Sueli. Oti nuk ishte as në Elbasan, as në Shqipëri. Henrik Hoxha ishte me një ‘E Class’ të marrë me qira në Fier. Henrik Hoxha komunikonte shpesh me Suel Çelën me ‘Matrix’ dhe me një program tjetër. Unë me Suel Çelën kam folur vetëm në momentin e atentatit, do dalin të gjitha në ‘Matrix’.
Më tej, Dumani tha se Talo Çela i kishte premtuar 2 milionë euro për të vrarë Erion Alibejn.
Nuredin Dumani: Me Talo Çelën takimin e fundit e kemi bërë te shtëpia ime, në 2019, ose fillim i 2020. Kam folur me të në telefon, kjo është në Sky Ecc. Ka qenë vera e 2020. Që atëherë nuk kam më komunikim. Ai me kërkoi të vrisja Erjon Alibej për 2 milionë euro.
Gjatë seancave Nuredin Dumani ka treguar me hollësi për mënyrën se si ka drejtuar një skuadër vrasësish me pagesë në mbi një dekadë: 12 vrasje, atentate të ndryshme, grabitje dhe krime të tjera, për llogari të organizatave të fuqishme kriminale, që vepronin mes Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit./vizionplus.tv




