Shifrat e Institutit të Statistikave konfirmojnë se sektori i ndërtimit jo vetëm që nuk ka shenja ngadalësimi, por në 2-5 vitet e ardhshme pritet një ofertë edhe më e madhe në treg.
Në vitin që lam pas u dhanë 266 leje ndërtimi më pak në numër, por sipërfaqja arriti në 2.5 milion metra katrorë, nga të cilat 1.9 milion janë vetëm në Tiranë.

“Po ndërtohet gjithnjë e më shumë në lartësi. Janë më pak leje, më pak ndërtesa, por po shkojnë më shumë në lartësi sidomos në Tiranë. Vërtet janë dhënë 2.5 milion metra katorë, por ajo që duhet të kuptojmë është që na mungon një e dhënë shumë e rëndësishme, që është jetëgjatësia e këtyre lejeve. Pra, mund të jenë volume më të mëdha që po jepen, por në të njëjtën kohë do të jenë shumë më të shtrira në kohë. Dikur ka qenë 3-4 vite zhvillimi i një leje ndërtimi, tashmë shkojnë deri në 7 vite”, tha Reinaldo Pipiria, kreu i Shoqatës së Agjentëve Imobiliarë gjatë intervistës për emisionin E-ZONE.

Edhe pse me një popullsi në tkurrje, oferta për ndërtim nuk po ndalet. Agjentët e shitjes së pasurive të patundshme kanë një shpjegim për këtë situatë.
“Mijëra prona që ishin në treg tashmë janë listuar në platformat booking dhe airbnb, rreth 15-20 mijë të tilla i janë hequr tregut të qirave familjare apo rishitjes së tyre. Mungesa e tyre po plotësohet me ndërtimet e reja që po kryhen ndaj dhe kërkesa mbetet e lartë”, tha Pipiria.
Në total vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit të dhëna në 2024 llogaritet në 1 miliard euro, me një rritje gati 20% në raport më 2023.

/vizionplus.tv





