19 shqiptarë të tjerë futen në Kapshticë/ Përfundon karantina për 80 emigrantë

Gjatë 24 orëve të fundit nga pika kufitare e Kapshticës kanë hyrë edhe 19 shtetas shqiptarë, të cilët kanë pranuar të karantinohen për 14 ditë në një prej hoteleve të përcaktuara nga ana e autoriteteve, para se të shkojnë në banesat e tyre.
Numri total i hyrjeve shkon në këtë mënyrë në 309 emigrantë, ndërsa burimet zyrtare nga prefektura e Korçës thanë se 80 emigrantë e kanë përfunduar tashmë karantinën duke shkuar në banesat e tyre.
Ditën e sotme pritet të dalin edhe disa dhjetëra emigrantë nga njëri prej hoteleve të Korçës aty ku qëndruan për 14 ditë.
Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se deri më tani asnjë prej emigrantëve nuk ka rezultuar pozitiv me COVID-19, por pavarësisht kësaj të gjithë ata që hyjnë duhet të qëndrojnë të karantinuar për 14 ditë.
Problem vijon të mbetet për shumicën e emigrantëve përballimi i shpenëzimeve të akomodimit dhe ushqimit, pavarësisht çmimeve relativisht të ulëta që janë vendosur nga ana e hoteleve për 14 ditët e qëndrimit në to.
Një ditë më parë 79 emigrantë të strehuar në një prej hoteleve të Pogradecit u hodhën në protestë duke u ankuar për mungesën e të ardhurave, por deri ditën e sotme nuk ka pasur asnjë lëvizje nga ana e autoriteteve vendore për të plotësuar kërkesat e tyre.
Nga ana tjetër prefekti Dhori Spirollari i kontaktuar tha se ka kapacitete të mjaftueshme për akomodimin e emigrantëve, ndërsa këta të fundit një ditë më parë u ankuan edhe për akomodimin me tri e katër vetë nëpër dhoma, çka e rrit rrezikun e përhapjes së koronavirusit.




