Subscribe

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar ne total 175 vite burg për 6 nga 11 anëtarët e bandës së famshme të “Babagjyshëve”. Të gjithë pjesëtarët e grupit kriminal akuzohen për vjedhje me armë, plagosje e rëndë dhe mbajtje armësh luftarake. Ndërkohë, për 5 të tjerët, procesi vijon me gjykim të zakonshëm. Hetimet për këtë bandë Prokuroria për Krime të Rënda, i nisi në bazë të disa referimeve të Policisë së Shtetit, pas disa ngjarjeve kriminale të ndodhura në vitin 2013 dhe 2014 në Tiranë, Durrës, Laç, Fushë-Krujë dhe Kuçovë. Pas një kohe të gjatë hetimesh në përfundim të procesit gjyqësor për pjesën e parë të grupit, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi dënimin me 35 vjet per Ilir Kupën dhe Agustin Sulën te konsideruar si krerët e organizatës. Por Sula ka bashkëpunuar me drejtësinë, duke marre vetëm 9 vjet. Për Enea Qerushin, Hajdar Sefën dhe Mark Shpendin, prokuroria kërkon 30 vjet burg, ndërsa për Edmond Selalën 15 vjet. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, këta të pandehur përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallen fajtorë nga Gjykata për Krime të Rënda. Grupi i cili drejtohej nga Ilir Kupa u bë mjaft i njohur për vjedhjen spektakolare të 24 dhjetorit të vitit 2013 të një argjendarie në një qendër tregtare në Tiranë. Ata ishin veshur si babagjysha, prej nga ka marrë dhe emrin grupi i tyre. Hetimet kanë çuar edhe në zbardhjen dhe mekanizmin se si ky grup funksiononte. Fillimisht vidheshin makinat që do të përdoreshin në krim, ato më pas digjeshin duke u ndërruar në ikje për të humbur gjurmët. 11 anëtarët kishin detyra të ndara mes tyre qe nga piketimi i biznesit që do grabitej e deri tek vendosja e orarit apo veshja që do përdorej.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *