Autoritetet kineze kanë shtuar masat për të parandaluar përhapjen e virusit të ri, nga i cili deri më tani kanë vdekur 17 persona dhe janë infektuar më shumë se 600 të tjerë.

Qyteti Vuhan dhe Huangang me një popullsi totale prej 17 milionë banorësh janë vendosur në gjendje izolimi dhe të gjitha mjetet e transportit janë pezulluar.

Pekini zyrtar gjithashtu ka lajmëruar anullimin e festimeve për vitin e ri kinez nga data 25 janar deri më 8 shkurt në mënyrë që të shmanget përhapja e mëtejshme e virusit.

Organizata botërore e shëndetësisë nuk ka marrë ende një vendim sa i takon shpalljes së emergjencës ndërkombëtare pasi ka deklaruar se duhet më shumë informacion i qartë nga ekspertët.

 

TEDROS ADHANOM

 

DREJTOR I PERGJITHSHEM I OBSH

 

“Sikurëse e dini, kjo është një situatë komplekse dhe në zhvillim për të cilën na duhet më shumë informacion. Për këtë arsye, Komiteti i emergjencës do të vazhdojë diskutimin. Vendimi për të shpallur apo jo një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar është shumë serioz, prandaj përpara kësaj duhet të marrim në konsideratë të gjitha provat e mundshme. Ekipi ynë në Kinë po punon intensivisht me ekspertët dhe zyrtarët lokale.”

 

Në fillim, shkencëtarët bënë të ditur se virusi mund të transmetohet vetëm nga kafshët tek njeriu, por më pas vërtetuan se transmetohet edhe mes njerëzve.

Ka edhe hipoteza që sugjerojnë se mbartësi i virusit mund të jetë lakuriqi i natës ose gjarpërinjtë por ende nuk ka asnjë përfundim zyrtar nga autoritetet shëndetësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *